Publiku i gjerë e ka të lehtë të imagjinojë faunën e egër të savanave afrikane apo gjallërinë e Cape Town. Por Afrika është kontinenti i 54 shteteve plot mrekulli natyrore dhe eksperienca kulturore nga më të ndryshmet. Më poshtë do të gjeni një listë të vendeve më pak të njohuar por po aq interesante të Afrikës.

Trekëndëshi i Afarit në Etiopi ofron një pamje spektakulare të tokave të thata dhe basineve me llavë ‘fluskuese’, rezultat i fërkimit të tre pllakave tektonike. Nuk është e lehtë të shkosh tek ky destinacion, por vizitorët mund të rezervojnë këtë udhëtim përmes agjensive turistike lokale, që ofrojnë transportin përmes veturave ose deveve.

Parku kombëtar ‘Liuwa Plain’ në lindje të Zambias është mjaft i izoluar. Edhe pse ende duke u rehabilituar, parku njihet për migrimin masiv të antilopave, për shumëllojshmërinë e zogjve dhe për popullsinë e hienave. Parku tërheq vetëm një numër të vogël turistësh dhe mbetet një ndër vendet më të egra e të paprekura të Zambias.

I ndodhur në Madagaskar, ‘Tsingy i Kuq’ përbëhet prej shkëmbinjsh me një ngjyrë të kuqe zjarri. Rezultat i erozionit shkaktuar nga lumi Irodo, ky formacion shkëmbor u zbulua vetëm në mesin e shekullit XX dhe është konsideruar një mrekulli e vërtetë e nënës natyrë (pavarësisht erozionit). Vizitorët mund të eksplorojnë këtë vend në këmbë.  

 

Pas sezonit të shirave, diku rreth gushtit dhe shtatorit, Namaqualand, një rajon në Afrikën e Jugut, mbulohet me mijëra lule të shndërritshme. Të pasionuarit pas luleve ecin me kilometra të tërë në veri-perëndim të vendit për të parë këtë peizazh të mrekullueshëm. Në rajon mund të vizitohet gjithashtu parku kombëtar i Richterveld, rezerva natyrore e Goegap dhe rezerva e luleve të egra të Skilpad.

Shumë pak njerëz mund të lidhin kulturën e sërfit me Marokun, por fshati i vogël i Taghazout ofron dy prej pikave më të mira të sërfit në Afrikë: Anchor dhe Killer Points. Profesionistët dhe ata që dashurojnë sërfin vizitojnë Taghazout për të shijuar dallgët perfekte dhe komunitetin e vogël të këtij fshati ende të padominuar nga turistët. Shumë pranë ndodhet dhe “lugina e parajsës”, një formacion shkëmbor dhe pishinash natyrore, i ndodhur në vargmalin e Atlasit të Lartë.

 

Cfarë ishte një liqen miliona vjet më parë, është tashmë një shkretëtirë kripe e njohur si Makgadikgadi, në Botsvana. Kjo zonë e pjerrët dhe e sheshtë përfshin 10 620 km² : një peizazh i pafundmë i një toke të thatë dhe një qielli të kaltër. Pas shirave, kjo shkretëtrië tërheq një numër të konsiderueshëm zebrash, antilopësh dhe flamingosh rozë.