Disa e konsiderojnë Street Art-in si një muze në qiell të hapur. I këndshëm për t’u parë, ky lloj arti përdoret shpesh si një urë për çështje të ndryshme sociale, kulturore e politike të një qyteti. Për të gjithë ata që janë të pasionuar pas Street Art-it, më poshtë ju propozojmë 8 qytetet më të mira ku grafitit do t’ju bëjnë të reflektoni.

  1. San Juan, Porto Riko

Që prej vitit 2010, festivali i rrugës “Sancture Es Ley” ka shndërruar një nga lagjet më të harruara të qytetit në një nga destinacionet më të populluara për Street Art. Shumica e afreskeve i janë dedikuar ngjarjeve historike apo bashkëkohore të Porto Rikos.

  1. Bogota, Kolumbi

Arti urban i qytetit të Bogotës është formuar shpesh prej problematikave të vazhdueshme të Kolumbisë. Vitet e fundit ai ka qenë i influencuar nga protestat e ndryshme që denoncojnë vrasjen e një artisti të ri në vitin 2011. Bogota është duke punuar vazhdimisht për dekriminalizimin e ariti të rrugës, duke inkurajuar krijimin e pikturave murale të rafinuara.

  1. Williamsburg, Nju Jork

Lagjia “cool” e Williamsburgut tërheq një numër të konsiderueshëm turistësh duke përdorur artin e tij të rrugës si sfond për selfie-t e shumta. Sa më shumë të kërkoni, aq më shumë do të zbuloni grafiti që përfaqësojnë aspektet e ndryshme të njerëzimit, çka përbëjnë strukurën e qyteteve.

  1. Stamboll, Turqi

“Stambolli është një amalgamë kulturash” – shprehet një artist i këtij qyteti. Nga pikëpamja kulturore, artistët e rrugës në Stamboll janë inspiruar prej historisë lokale. Shumë prej tyre përpiqen të paraqesin monumentet romake apo greke që reflektojnë të shkuarën dhe trashëgiminë e skulpturave të Stambollit. Në qytet shihen shpesh edhe versione të ndryshme të një ariu panda, krijuar prej artistit Leo Lunatic.

  1. Kairo, Egjipt

Revolucioni egjiptian i vitit 2011 ka nxitur ‘shpërthimin’ e një arti urban me influenca politike. Portretet e aktivistëve të rënë apo karikaturat e figurave pushtetare mbulojnë muret e ndodhur përreth sheshit Tahrir. Megjithatë, masat tiranike kundër manifestuesve kanë ndaluar shfaqjen e veprave më provokuese.

  1. Bangkok, Tajlandë

Bangkoku i ofron vizitorëve mundësinë për të parë artin e rrugës nga një kënd i veçantë : prej ujit. Afresket e krijuara gjatë festivalit të artit urban në Bukrukn të vitit të kaluar janë të dukshme në qoftë se merrni një prej tragetëve ‘Chao Phraya Express’. Copëzat e artit janë shpesh të influencuara nga pizazhet e qytetit dhe banorët e tij.

  1. Stavanger, Norvegji

Çdo vit, banorët e Stavangerit i ofrojnë mundësinë artsitëve pjesëmarrës të festivalit të artit urban NuArt të përdorin muret e shtëpive apo dyqaneve të tyre. Shpesh ata nuk i kuptojnë veprat e këtyre artistëve megjithatë të gjithë pranojnë të shohin këto krijime përgjatë gjithë vitit. Në pjesën më të madhe të rasteve, këto vepra paraqesin çështje lokale që diskutohen në sferën publike.

  1. Bristol, Angli

Për një kohë të gjatë Bristol i ka refuzuar grafitit, duke i mbuluar vazhdimisht disa ditë pasi ishin krijuar. Por tashmë, ky qytet i Anglisë vendos muret e tij  në dispozicion të artistëve të rrugës gjatë festivalit Upfest, festivali më i madh europian i Stree Art-it, që organizohet çdo vit në lagjet e Southville dhe Bedminster.