Nga titulli besoj e kuptuat mbi çfarë ju pret pak më poshtë, por por por si fillim dua të sqaroj diçka;

Bota është e mbushur me kaq shumë seriale të bukura sa se di a do na dali ndonjëherë koha t’i shohim të gjithë. Mendoni t’i minimizoni këto seriale në vetëm katër; Mision i pamundur !

Prandaj kjo listë, përbëhet nga seriale që ndoshta mund t’ju kenë shpëtuar. Është e vogël por cilësore dhe do të zgjerohet me kalimin e javëve. Këto janë katër detyrat tuaja të para të shtëpise:

  1. The Young Pope

Magjia e Sorrentinos e sjellë ne 10 episode. Jo thjesht një film, por plotë 10 episode një orëshe! Ky serial do t’i thyejë pritshmëritë tuaja. Mbaj mend kur e nisa që të gjithë më thonin: Jude Law është papa…? Pra duhet të jetë një papë i çmendur që bën seks dhe bla bla bla…
Jo njerëz jo. Çdo gjë është elegante dhe fine, duke filluar nga përmbajtja, dialogjet, përzgjedhja e kolonave zanore e deri te kompleksiteti i personazheve. Për mua, prodhimi më i mirë i vitit 2016.

  1. The End of the F***ing World

E keni parasysh atë lojen që dikush nis një histori me vetëm një fjali dhe të tjerët duhet të vazhdojnë fjalitë me rradhë duke krijuar kështu një histori? Kjo lojë mund të jetë shpjegimi i vetëm mbi rrjedhën e ngjarjeve të këtij seriali. E di që jeni lodhur nga filmat dhe serialet coming of age (nuk e di për ju domethënë, por unë po) se na mbytën këto 3 vitet e fundit, por këto tetë episode nga vetëm 20 minuta janë diçka tjetër. Asnjë spoiler për ju. Shkoni, shiheni dhe argëtohuni/çudituni bashkë me mua.

  1. Bojack Horseman

Të gjithë jemi skeptikë kur vjen puna të serialet e animuara, pasi vijmë nga një e shkuar që na ka rritur me standarte të larta (The Simpsons, Futurama, South Park, etj). Ky nuk është rasti i Bojack, të cilin ndoshta edhe nuk e keni dëgjuar pasi mbulohet nga hija e Rick and Morty, por s’do të thotë aspak që nuk është po aq i mirë si produkt. Nëse ju pëlqen humori i errët dhe i mprehtë, është seriali i duhur.
PS; Mos u ndikoni nga sezoni i parë, është pak i ngadaltë por shërben për të krijuar një peisazh. Nga aty thjesht sa vjen e bëhet më mirë, jua premtoj !

  1. Sense 8

Ok këtu bëhem pak emotive sepse ishte seriali më i dashur për mua dhe Netflix e anulloi pa të keq fare. Por lajmi i mirë është që për të mos t’a lënë historinë gjysmakë, po xhirohet një film përmbyllës. Nuk dua t’ju tregoj asgjë, pasi nuk keni parë ndonjëherë diçka si Sense8 dhe dua të keni kënaqësinë të zbuloni çdo gjë vetë. Po ju them vetëm që kimia midis 8 personazheve kryesore, nuk ka të krahasuar me asgjë tjetër! Është serial multi-dimensional dhe shtrihet në çdo zhanër, mjeshtëri kjo e dyshes Wachowski (krijuesit e Matrix, V for Vendetta, Cloud Atlas etj). Doni dramë, gallata, suspancë, fantazi, aksion? Ore thjesht vërini emrin asaj çfarë doni, sepse do e gjeni te Sense8.