Sa shpesh ju ka ndodhur të ngatërroni me një lëkurë të dehidratuar me një lëkurë të thatë?

Ndoshta ky nuk ka qenë rasti juaj, por ka qenë definitivisht i imi. Para se të flas për eksperiencën time personale, po ndaloj per tju shpeguar çfarë është një lëkurë e dehidratuar, si ta dallojmë, si ta trajtojmë dhe ç`ndryshim ka nga lëkura e thatë.

Lëkura e dehidratuar

Çfarë është?- Një lëkurë e dehidratuar, është një lëkurë që ka mungesë uji.

Nga se shkaktohet? – Disa produkte kozmetike, kanë shpeshherë në përberje substanca që e dëmtojnë barrieren mbrojtese të lëkurës (Stratum Corneum) si dhe e bëjnë atë me sensitive ndaj ambjentit rrethues. Një faktor tjetër mund të jetë edhe përdorimi i produkteve të gabuara në varësi të llojit të lëkurës.

Si ta dallojmë?- Përvec shenjave karakteristike si rrudha të imta, lëkurë e tërhequr (ndjesi parehatie), zona te „rrjepura“, një lëkurë e dehidratuar në pamje të parë të jep përshtypjen e një lëkure të pajetë, pa shkëlqim.

Si ta trajtojmë?

  • Hiqni dorë nga pastruesit që dëmtojnë lëkurën tuaj. Perdorni një pastrues delikat (përdorues të sapunit, po ju vezhgoj !!!!), i cili mundësisht ka të njejtin pH me lekuren (4,5-5)
  • Evitoni/Reduktoni përdorimin e eksfoliantëve kimike dhë në qoftë se jeni përdorues të eksfoliantëve fizike (scrub), sigurohuni që të kenë në përberje micro-kokërriza, për të shmangur irritime të mundshme.
  • Evitoni produkte që kanë në përberje alkoohole (me përjashtim të alkooholeve të ngopura), parfum, si dhe sigurohuni që ambjenti ku po qëndroni, të mos jetë i thatë.
  • Përdorni produkte kozmetike që kanë në përmbajtje :
  • Acid Hialuronik – i njohur si humectant, ka aftësinë të ruajë 1000 herë masën e tij ujore si dhe hidraton lëkurën duke thithur lagështinë e ajrit.
  • Ceramide – së bashku me kolesterolin dhe acidet e ngopura, formojnë barrierën mbrojtëse të lëkurës, e cila parandalon evaporimin e ujit (TEWL) si dhe mbron lëkurën nga mikroorganizmat.
  • Urea – ka veti rigjeneruese, hidratuese si edhe eksfoliuese
  • Aloe Vera – versioni bimor i Advil. Shëron çdo gjë!
  • Mjalti – njësoj si Aloe Vera, nuk bëjmë dot pa të në jetën tonë.

Në fakt, është e vështire të dallosh në lëkura është e thatë apo e dehidratuar, pasi “simptomat„ janë shumë të ngjashme. Por, në ndryshim nga lekura e dehidratuar, lëkura e thatë ka nevoje per yndyrë (sebum), pasi nuk prodhon mjaftueshëm.

Në qoftë se mendoni që keni lekure të thatë, por përdorimi i produkteve të posacme për këtë lloj lëkure nuk kanë patur efekt ose ju kanë berë më të yndyrshme, ngjasa ka te keni lëkurë të dehidratuar. Për një kohë të gjatë, edhe unë mendoja që hyja në familjen e personave me lëkurë të thatë, pavarësisht se gjithmonë kam patur një zone T të yndyrshme.

Pasi fillova të përdorja më shumë produkte hidratuese në rutinën time, vura re qe sasia e yndyres u stabilizua, dhe lëkura ime u kthye në normalitet. Do doja shumë të kishte një mënyrë të testuar për të kuptuar ndryshimin, por nga eksperienca ime personale, e vetmja gjë që mund të keshilloj, është të provoni të shtoni në rutinën tuaj produkte që rrisin hidratimin e lëkurës, pasi të gjitha tipet e lëkurës (e thatë, mikse, normale, e yndyrshme ) mund të vuajnë nga dehidratimi.

Në fund të fundit pak rëndesi ka lloji i lëkurës, një lëkurë e hidratuar mjaftueshëm është një lëkurë e shëndetshme!

Xoxo,