Ylli i serialit Lucy Hale vjen si personazhi kryesor me emrin Lily ndryshe nga çdo film tjetër i parë i këtij zhaneri. Një film i prezantuar nga Netflix së fundmi ku fuqia e vajzave kryeson dukshëm përgjatë gjithë filmit.

Hera e parë që shohim një vajzë presidente të këshillit studentor të shkollës së saj jo në formën më normale që e mësojmë por me një grup vajzash pas saj të cilat këndojnë rap, përdorin lëndë narkotike, qeshin me shaka seksuale dhe i shohin djemtë si problemin e tyre më të vogël.

Në fakt, përgjatë filmit mund të kuptosh shumë mbi botën e vërtetë të vajzave e jo siç tregohet përgjithësisht një planet rozë ku çdo problem rrotullohet mbi veshjen. Këtu tregohet jeta përtej pasqyrave dhe tualetit: ngjarja që i lidh është vdekja e një djaloshi që sapo është diplomuar dhe frika për tu rritur përtej gjimnazit sjell tragjeditë e filmit.

Por një komedi mbi të gjitha: që nga vendosja e emrave për një ‘bong’ e deri tek takimet e fshehura dhe konsumi i marijuanës në vende publike. Filmi i drejtuar nga Milch vendos një komedi adoleshentësh për ditët e fundit të gjimnazit, ku Lily dhe grupi i saj i përbërë nga Chloe, Amelia dhe Rebecca duket se përjetojnë çdo gjë së bashku duke ja lehtësuar këtë fund aventure njëra tjetrës.

Të gjitha të çmendura në mënyrën e tyre, kjo dramë-komedi na jep sërish një rikujtim se çdo të thotë të jesh adoleshente.