Një studim identifikoi këngën e famshme të grupit si hitin më të njohur të muzikës pop. Por, 20 vjet më pas, cili është në të vërtetë sekreti i suksesit të kësaj kënge?

Kur vajzat e Spice Girls publikuan ‘Wannabe’ në 8 korrik 1996, askush nuk e imagjinonte atë se çfarë erdhi më pas : dy vjet që mund të përshkruhen si “dominim i botës”. Edhe pse grupi nuk arriti të ruante suksesin për një kohë të gjatë, ai mbetet grupi më i sukseshëm vajzash i të gjitha kohërave: albumi i tyre i parë është albumi më i shitur nga një grup vajzash. Edhe sot, pas 20 vjetësh, ‘Wannabe’ dhe vetë grupi Spice Girls dallojnë nga të gjitha grupet e tjera të ngjashme që i pasuan ato.

Ka një arsye mjaft të thjeshtë se pse ‘Wannabe’ mbetet kaq e famshme edhe sot: kënga është jashtëzakonisht catchy! Madje një studim i vitit 2014 nga Universiteti i Amsterdamit dhe Muzeut të Shkencave dhe Industrisë në Mançester e kanë shpallur atë këngën më catchy të të gjitha kohërave. Pjesëmarrësit e studimit ishin në gjendje të dallonin këngën që në sekondat e para të saj.

Por çfarë e bën ‘Wannabe’ kaq catchy? Disa studiues mendojnë se është thjeshtësia e këngës ajo çka e bën atë të mbahet mend. “Sa më e thjeshtë dhe e zakonshme një këngë është, aq më të lehtë e kanë njerëzit ta fiksojnë atë” – shprehet njëri prej studiuesve. “Ajo çka e bën ‘Wannabe’ kaq të suksesshme është fakti që ajo nuk është e vështirë për t’u kënduar dhe ka një melodi që përsëritet shpesh”.