Të gjithë ata që vizitojnë qytetin e Kuching në Malajzi për herë të parë nuk ka se si të mos e venë re atë që karakterizon këtë qytet – macet! Një mace e bardhë gjigande në mes të një rrethrrotullimi, një familje mace-robotësh pranë një xhamie, mace të pikturuara nëpër muret e ndërtesave, mace mace…

Fiksimi që ka ky qytet për macet mesa duket vjen nga vetë emri i tij: fjala ‘kucing’ në gjuhën malajziane do të thotë ‘mace’. Kuching ka madje një “Muze të Maceve”, nga ku mund të mësohet gjithçka për felinët dhe lidhjen e tyre me këtë qytet. Një nga punonjësit e këtij muzeu tregon disa nga teoritë që shpjegojnë pse qyteti mori në fakt këtë emër. Disa mendojnë se kur Rajah-u i Saraëak-ut erdhi për herë të parë në Kuching në 1839, ai drejtoi gishtin drejt vendbanimeve pranë dhe pyeti se si quheshin. Një qytetar mendoi se ai tregoi me gisht një mace ndaj iu përgjigj ‘Kucing’. Disa të tjerë mendojnë se emri i qytetit vjen nga disa pemë që përmbanin një frut të quajtur ‘mata kuching’ ose ‘fruti i syrit të maces’. Teoria e fundit tregon se emri u vendos nga qytetarët pasi ata zbuluan se përreth lumit Saraëak (që ndodhet mes për mes qytetit) jetonin mace me bisht të shkurtër.

Për më tepër, popullsia e këtij qyteti përbëhet nga malajzianë, kinezë, indianë e mjaft fise të ndryshme dhe për të gjithë këto komunitete, macet kanë një rëndësi të veçantë. Për kinezët për shembull, macet sjellin fat.

Ajo çka e bën këtë qytet akoma më të këndshëm është e famshmja “Meow Meow Cat Café”, një kafene për të gjithë ata që i adhurojnë macet por që nuk mund të mbajnë dot një të tillë në shtëpitë e tyre. Kafeneja përmban momentalisht 6 mace të llojeve të ndryshme. Ndoshta të gjithë mendojmë ndonjëherë se macet sjellin fat kur kemi një të tillë që na fle në prehër…