600 banorë në 60 hektarë tokë përballë kanalit La Manche që ndan Francën nga Britania e Madhe – ky është fshati i vogël Bafleur.

Ajo çka të tërheq menjëherë vëmendjen sapo hyn në Barfleur është porti i tij : i vjetër, i njohur si  një port i rëndëishëm gjatë Mesjetës, i vogël dhe ende i famshëm për peshkimin e midhjeve. Kudo përreth gjirit të vogël që rrethon portin janë të « parkuara » varkat shumëngjyrëshe dhe përballë ndodhen shtëpitë karakteristike të rajonit : dy-tre katëshe, të ndërtuara ngjitur me njëra-tjetrën, fasadat e të cilave përfshiijnë të gjitha nuancat e ngjyrës bezhë dhe çatitë gri. Në katin e parë, siç ndodh shpesh në qytetet apo fshatrat e Francës, njerëzit janë ulur në baret apo kafenetë buzë rrugës, duke pritur pijet apo vaktin e porositur.

Barfleur në muajin shtator është akoma dhe më i veçantë : vrenjtur, nuk bie shi, ngrohtë. Duket sikur vendi është i ndarë në dy pjesë. Në qendrën e fshatit organizohet, si çdo vit gjatë fundjavës së parë të shtatorit, një festival për të promovuar këngëtarët apo grupet muzikore të rajonit. Dy skena janë vendosur jo larg njëra-tjetrës, nga ku dëgjon muzikën dhe njerëzit duke kënduar, kërcyer, duartrokitur. Nga ato momente të veçanta të vitit kur rrugët janë plot.

Pak më larg, ngjitur me atë skenën e dytë të vogël të vendosur posaçërisht për festivalin, ndodhet një kishë katolike, e rrethuar me një mur rreth 1-1.5 metra i lartë. Një shëtitje e vogël rreth kishës dhe ja tek është deti : një pamje që bën të ndalosh menjëherë hapat ! Deti me një ngjyrë jeshile në gri, që e bën kaq të ndryshëm nga Mesdheu, shkëmbinjtë ngjyrë kafe aty-këtu që duken sikur dalin prej detit, në fund një far i bardhë, një aromë tipike që të ndjek edhe pasi kanë kaluar disa orë. E kam parë detin shumë herë në jetën time, por asnjëherë si aty. Sa më shumë të qëndrosh mbi gurët e lartë, aq më shumë do e shohësh detin tek afrohet drejt teje : në fund të ditës bregu i detit « është zhdukur ». Të gjithë kemi mësuar rreth baticave e zbaticave në shkollë dhe më në fund pata rastin t’i shoh.

Nëse gjithë të tjerët ju sugjerojnë të vizitoni jugun e mrekullueshëm (këshillë për të cilën nuk kam absolutisht asnjë kundërshtim) merrni disa ditë më tepër pushim dhe mos ngurroni të vizitoni Barfleur apo qytete/fshatra të tjera në veri-lindjen e Francës !