Mjaft me Francën për momentin, këtë rradhë do të shkruaj për një qytet tjetër, në një vend tjetër… le të themi, për fqinjin e Francës, Spanjën. Dhe jo, nuk është Barcelona, as Madridi, as Sevilla por Santiago de Compostella !

I ndodhur në veri-perëndim të Spanjës, Santiago (shkurt për Santiago de Compostella) është kryeqyteti i rajonit të Galicias. Edhe pse mund të mos ketë sharmin e padiskutueshëm të Barcelonës apo plazhin e mrekullueshëm të Palma de Mallorca, ky qytet tërheq çdo vit me miliona vizitorë, por për një arsye krejt tjetër dhe tepër të veçantë : pelegrinazhin e famshëm të Santiagos ! Kam lexuar për herë të parë rreth « rrugëtimit të Santiagos » në nje nga librat e Paulo Coelho-s, por pa i kushtuar shumë rëndësi, e për më tepër pa menduar gjatë se disa vite më vonë do të kisha rastin të vizitoja katedralen madhështore dhe qytetin e bukur të Santiago de Compostela. Padyshim katedralja më e madhe që kam parë deri më sot !

I përmbledhur shuuuumë shkurt, rrugëtimi i Santiagos është një pelegrinazh katolik gjatë të cilit, me çantat e tyre në sup dhe me simbolin e guaskës të vendosur në të, njerëzit ecin për ditë e muaj të tëra për të përmbushur misionin e tyre : mbërritjen në varrin e shën James (Jacques në frengjisht, Jacobo në spanjisht) brenda katedrales së qytetit dhe përqafimin e bustit të tij. Edhe pse ekzistojnë disa rrugë që kanë të njëjtin destinacion, të ashtuquajturat rruga franceze (Camino Francés) dhe rruga e veriut të Spanjës (Camino del Norte) bëjnë pjesë në trashëgiminë botërore të UNESCO-s. Një rrugëtim që çdokush e përjeton në mënyrën e vet por për ne, vizitorët e thjeshtë (ndoshta dhe pak egoistë) të qytetit, shkakton thjesht një rradhë të pafund përpara katedrales … Sheshi dhe ndërtesat pranë saj, edhe pse ndoshta jo aq madhështorë, të lenë gjithsesi pa fjalë. Njerëz që presin të ulur në shatërvanin përballë katdrales. Njerëz të grumbulluar përballë ndërtesës së madhe të bashkisë që duan medoemos të shkrepin disa ‘selfie’.

Por Santiago nuk është vetëm kaq. Santiago është edhe parku Alameda me statujën e famshme « Las dos Marias » – monument i dedikur ndaj motrave Maruxa të njohura për veshjet dhe makiazhin e tyre të veçantë e që janë shndërruar tashmë në një nga simbolet e qytetit. Santiago është edhe kampusi universitar nga ku sheh gjithë qytetin sikur ta kishe « në pëllëmbë të dorës », nën atë perëndimin magjik të diellit që e bën atë akoma edhe më të bukur. Santiago është dhe qëndra historike dhe rrugët e tij të ngushta e të vjetra por aq të këndshme, që të çojnë në baret e restorantet (ku nuk ndalon dot së ngrëni jamón apo tortilla de patata). Santiago është edhe dyqanet pafund me harta, kartolina e suvenire, bluza qesharake, buste të vogla, guaska e plot e plot të tjera. Santiago është edhe të rinjtë që mbushin rrugët e tij deri në orët e para të mëngjesit, që diskutojnë, qeshin, vallëzojnë… Nuk është vetëm bukuria e qytetit ajo që të tërheq në këtë vend, por është e gjithë historia e atmosfera që të përthithin e të bëjnë të ndihesh vërtet pjesë e tij !

Nga Rovena Lemnusha.