E pra, ja ku e gjej veten sërish me një dokument word-i hapur,  disa shënime shkolle, tre blloqe, një kafe të madhe mbi tavolinë dhe aspak frymëzim.

Nëse dhe ju jeni gjendur ndonjëherë në këtë gjendje atëher e di që e kuptoni totalisht çdo të thotë të kalosh një periudhë ku të shtysh ‘deadline’ dhe afate është çdo gjë për të cilën mund të ëndërroni. Fundja është Maj, lulet po çelin (edhe përse shiu që ra këto ditë mendoj se i ktheu sërish aty ku ishin) njerëzit e lirë bëjnë plane për të kaluar ditën në plazh apo në festat e pafundme që po ndodhin…DHE TI JE ATY, PËRPARA NJË LAPTOPI!

Epo, le të themi që kur afron dhe sezoni i provimeve të gjithë e kalojmë këtë fazë, nëse nuk e ke kaluar të lutem më komento sekretin tënd.  Në përpjekje për të zgjidhur bllokimin e shkrimtarit dhe bllokimin studentor që ndodh po përpiqem të analizoj këtë situatë me disa faza duke shkuar sigurisht drejt zgjidhjes që më ndihmoi të ulesha e të shkruaja.

FAZA 1. – PRANIMI

Faza e pranimit është momenti që kupton se ke dy zgjidhje: të vazhdosh të ankohesh kudo për sa gjëra ke për të bërë apo të ulesh të bësh aktualisht punë të vërtetë. Sigurisht, zgjidhjen e parë ke dy javë që e vë në dispozicion dhe të dytën epo vendosim ta bëjmë tani që jemi duke folur. Pranojmë se nga ‘të ankuarit’ nuk do të nxjerrim ‘gjë në dritë’ (frazë e përsëritur nga prindërit) dhe se puna aktuale ndoshta na çon diku.

FAZA 2. – FRYMËZIMI

Si një studente planifikimi urban, shpesh e kam gjetur veten rrethuar nga shprehje arkitektësh që më rikthehen në mendje herë pas here. Tani po më vjen një shprehje e një Louis Khan i cili thotë: ‘një dhomë nuk quhet një dhomë pa dritë natyrale’ dhe është e vërtetë. Nëse po kërkoni për frymëzim ‘të jashtëm’ nuk mund ta gjeni në një dhomë të errët me dritë të zbehtë. Dilni. Edhe sikur për në një vend me pa më shumë dritë se dhoma juaj, sërish do të shihni se edhe mendja juaj do të marrë një rifreskim që duhet. Jo gjithmonë e kupton se për çfarë ke nevojë, por ju siguroj se nuk do ta gjeni pa lëvizur aspak nga ambienti ku jeni.

Bisedoni me dikë që keni përzemër pa patur ‘ndrojtje’ t’i kërkoni tju frymëzojë. Ndoshta nuk do të zgjidhni asgjë, por do të përfundoni duke bërë një bisedë të ngrohtë rreth frymëzimit tuaj dhe do të jeni gati për tju rikthyer dokumentit të word-it.

Në fund të ditës jam nga ata idealistë që mendojnë se ‘motivation comes from within’ kështuqë nuk hezitoj ta përsëris se frymëzimin tuaj mund ta sillni vetëm ju.

FAZA 3. – LISTA

Jam një fanse të shkruajturit LISTA! Po, po krenare e të pasurit bllok, laps dhe letër kudo duke shkruajtur lista të pafundme TO DO. Ndonjëherë të shohësh vizualisht punët që ke për të bërë është mjeti i duhur për të vënë veten në punë. Në këtë mënyrë mund edhe të shihni se çfarë keni prioritete momentale.

FAZA 4. – MOS MENDO, VEPRO

Sërish duke qenë pak ‘ushtarake’ në gjak vendos se të mendosh, nuk do të sjell aq të mira sa të vepruarit. Je në një ambient ndryshe, ke një listë përpara dhe asgjë përveç vetes tënde nuk mund të të ndalojë të arrish të ekzekutosh punët që ke për të bërë madje dhe duke vendosur ‘një çmim’ për veten në përfundim të listës.

Zakonisht heqja e punëve nga lista është çmimi që do të merrni, ama edhe një birrë nuk do të ishte keq!

 

Deri herën tjetër,

Qëndro në zonën ZEN!